|
|
|
Shqiperia
Shqipëria (gegnisht Shqipnia, int. Albania), zyrtarisht Republika e Shqipërisë, është shtet i pavarur në Evropën Juglindore. Shtrihet në pjesën perëndimore të Siujdhesës Ballkanike dhe kufizohet në veriperëndim me Malin e Zi, në verilindje me Kosovën, në perëndim me Republikën e Maqedonisë dhe në jug me Greqinë. Në perëndim laget me detet Adriatik dhe Jon dhe ndodhet vetëm 78 km larg Italisë përgjatë Ngushticës së Otrantos. Shqipëria ka një sipërfaqe prej 28.748 km² dhe mbi 3,5 milion banorë, prej të cilëve mbi 700 mijë banojnë në kryeqytetin dhe qendrën më të rëndësishme, Tiranën. Trashëgimtare e qytetërimit të lashtë ilir, Shqipëria ka shënuar përparim të dukshëm ekonomik, shoqëror e kulturor pas shekujsh prapambetje nën Perandorinë Osmane dhe në regjime diktatoriale gjatë shek. XX. Pas rënies së rendit komunist më 1991, Shqipëria ka përjetuar një periudhë kalimtare të vështirë por të suksesshme drejt demokracisë liberale dhe ekonomisë së tregut. Prej vitit 2009, Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe kandidate për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Shqipëria është dëshmuar faktor i rëndësishëm në ruajtjen e stabilitetit rajonal, duke mbështetur pavarësinë e Kosovës dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve politike në Ballkan. Ndërkaq, shteti shqiptar po gëzon përmirësim infrastrukturor dhe zhvillim të turizmit; po ashtu, mban vendin e 25-të në botë për mirëmbajtjen e ambientit.
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|
|